Pas vdekjes së Prokurorit të Prokurisë Speciale, Enver Krasniqi ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, përcjellë InLajmi.
Nëpërmjet një telegrami, anëtarët e këtij Këshilli u shprehin ngushëllime familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit. Po ashtu ata e vlerësuan lartë punën dhe kontributin e Krasniqit, duke e cilësuar se ai ishte shembull i vlerave të larta njerëzore dhe ndershmërisë.
Sipas tyre largimi i hershëm i Prokurorit Krasniqit nga kjo botë nuk ëshë një humbje vetëm për familjen e tij, por edhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Telegram Ngushëllimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës:
Drejtuar familjes Krasniqi, me rastin e vdekjes së z. Enver Krasniqi, Prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

E nderuara familje Krasniqi,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e familjarit tuaj dhe kolegut tonë të nderuar, Prokurorit të Shtetit, z. Enver Krasniqi.
Largimi i z. Enver Krasniqit nga kjo botë papritmas nuk është humbje vetëm për familjen tuaj, por përgjithësisht edhe për sistemin e drejtësisë në vendin tonë.
Me këtë rast, më lejoni që në emrin tim personal dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës t’ju shpreh dhimbjen e madhe dhe ngushëllimet e mia më të sinqerta për ju si familje, për të afërmit, kolegët dhe bashkëpunëtorët e Prokurorit Krasniqi.
Prokurori Enver Krasniqi ishte shembull i vlerave të larta njerëzore dhe ndershmërisë, i cili më përkushtim, dinjitet dhe profesionalizëm të lartë i shërbeu institucionit dhe vendit të tij.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!
Sinqerisht i Juaji,
Jetish Maloku
Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës /InLajmi/