LDK’ja ka rënë më së keqi prej themelimit të saj, e Anton Quni ka shprehur vullnet që ta marrë udhëheqjen e partisë, me gjithë këtë situatë.
Kandidati për kryetar të LDK-së ka folur për Express për përkrahjen e delegatëve që ai thotë se e ka, për qëndimin në sallë, nëse Vjosa Osmani del në votim për t’u zgjedhur presidente dhe për rivalët e tij brenda partisë për poston e kryetarit.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, në emisionin “Pressing” të T7 ka shpallur kandidaturën e tij për krytar të LDK’së. Pozitë kjo nga e cila ka ofruar dorëheqje Isa Mustafa pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Zgjedhjet e brendshme në LDK vijnë pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku për herë të parë në histori që nga themelimi, partia e themeluar nga Ibrahim Rugova ka rënë në vetëm 100 mijë vota.
Quni të mërkurën ka folur rreth shpalljes së kandidaturës për kryetar partie dhe mbështetjen e delegateve të partisë.
“Kandidaturën për Kryetarin e LDK-së e kam bëre publike por deri ne këto momente, unë akoma nuk kam ndërmarrë ndonjë veprim për të kërkuar besimin e delegateve. Gjithsesi, nga komunikimet jo-zyrtare lidhur me këtë çështje, janë një numër i konsiderueshëm i tyre te cilët me iniciativën e vet me kane shprehur besimin e tyre”, ka thënë Quni.
Ditë më parë nga Dega e LDK’së në Prizren kanë treguar se nuk kanë biseduar për kandidat për kryetar dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë kryetari i degës, Anton Quni.
“Sa i përket Degës së LDK-së ne Prizren, është mbajtur takimi me delegatet e degës, por janë diskutuar vetëm aspektet procedurale lidhur me mbajtjen e Kuvendit; ndërkohë qe nuk kam pasur diskutime lidhur me marrjen e besimit për kandidaturën time”, tha ai.
I pyetur se si i sheh kandidaturat tjera nga anëtaret e partisë, ai u shpreh se kjo gjë e tregon nivelin e demokraicsë mbrenda LDK’së.
“Te gjitha kandidaturat potenciale janë kandidatura kredibile. Kandidimi i secilit prej tyre reflekton nivelin e demokracisë se brendshme të LDK-së”, u përgjigj Quni.
Gjithashtu ai tregoi se a do ta bëjnë korumin Vjosa Osmanit për Presidente, të cilës i nevojiten 2/3 e deputetëve të jenë të pranishëm në sallë, Quni tregojë se çështja e zgjedhjes së Presidentit do të trajtohet nga kryetari i ri i LDK’së, Kryesia e re dhe Këshilli i Përgjithshëm.
“Sa i përket çështjes së zgjedhjes së Presidentit te Republikës së Kosovës, do të trajtohet nga kryetari i ri i LDK-së, Kryesia e re dhe Këshilli i Përgjithshëm. Qëndrimet e strukturave të partisë do të jenë orientime për Grupin Parlamentar te LDK-se”, tha Quni.
Me datë 14 mars, 355 delegatë nga 38 degë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga të gjitha komunat në Kuvend zgjedhor do të mblidhen për të dhënë votën e tyre dhe do të vendosin se kush do të udhëheq me këtë parti për dy vitet e ardhshme, derisa, atë ditë zyrtarisht do të dihet edhe kush janë pretendentët për të udhëhequr subjektin më të vjetër politik në Kosovë.
Dhe që deri tani, si emra tjerë të mundshëm për të udhëhequr me LDK’në janë, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Kujtim Shala.