Policia e Kosovës, saktësisht Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve 2 ditë më parë kanë arrestuar edhe një person tjetër që dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e 23 vjeçarit në Mitrovicë, përcjellë InLajmi.
Sipas policisë bëhet e ditur se hetimet janë duke vazhduar në drejtim të kapjes së të dyshuarve të tjerë dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.
Njoftimi i plotë policisë së Kosovës:
Arrestohet personi i dytë i dyshuar për veprën penale ‘’ Vrasje e rëndë’’
Mitrovicë, 04 mars 2021
Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, dy ditë më parë kanë arrestuar personin e dytë të dyshuar B. H., 24 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, për përfshirje në veprën penale ‘Vrasje e rëndë’.
Identifikimi dhe arrestimi të dyshuarit është bërë mbi dyshimet e bazuara për përfshirje në veprën penale “Vrasje e rëndë” e ndodhur me datën 12 shkurt 2021 në Mitrovicë, ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit ka vdekur viktima M. K., 23 vjeçar, ndërsa dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Gjatë ditës së sotme në cilësi të provës materiale, në lidhshmëri me të dyshuarin është lokalizuar vendi ku i dyshuari kishte fshehur armën, me ç’rast nga ana e hetuesve policorë është gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit ‘pistoletë’ e cila dyshohet të jetë përdorur në veprën penale.
Si pjesë e veprimeve hetimore deri më tani janë realizuar edhe bastisje në lokacione të ndryshme. Ndërkohë që hetuesit policorë e kanë të njohur edhe identitetin e dy personave të tjerë të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor.
Hetimet janë duke vazhduar në drejtim të kapjes së të dyshuarve të tjerë dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’./InLajmi/