Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka takuar sot zëvendëskryeministrin në detyrë, Goran Rakiq, me të cilin kanë diskutuar për ngjarjet e fundit në vend dhe zgjedhjet.
Përmes Twitter-it, Rohde ka thënë se është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të tregojnë pjekuri tash pas zgjedhjeve.
“Sapo kam takuar zëvendëskryeministrin në detyrë, Goran Rakiq me të cilin diskutuam për zgjedhjet, për ngjarjet e fundit dhe zhvillimet politike. Theksuam se është e rëndësishme që të gjitha palët e interesit duhet të tregojnë pjekuri”, shkruan ai.
Po ashtu, ai tha se duke iu referuar incidentit në Llapnasellë, ku u rrah djali i politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiq, Nikolla Rashiq, Rohde u shpreh se është e rëndësishme të bëhet një hetim i plotë për këtë incident, shkruan Telegrafi.
“Referuar incidentit të në Lapnaselle, është e rëndësishme që forcat e rendit të bëjnë një hetim të plotë. Të gjithë akterët duhet të përmbahen nga gjuha përçarëse (nxitëse). Gjuha e urrejtjes është e rrezikshme. Çelësi është të punojnë për një të ardhme të përbashkët për të gjithë në Kosovë”, shkruan ambasadori.