Ndonëse është vetëm 6 vjeçar, njohuritë dhe inteligjenca që posedon kalojnë normalen, duke bërë kështu Lum Rrahmanin, djalin e vogël me inteligjencë superiore. Fillimi i këtij viti ishte i mbarë dhe me shumë suksese për Lumin, ai arriti që të zërë vendin e parë në garën ndërkombëtare të organizuar nga Brainobrain të mbajtur virtualisht në Dubai.
Lumi është nga ata fëmijët që nuk flet shumë kur ti i bënë pyetje, madje edhe për fitoren e tij ai mjaftohet duke u përgjigjur ‘po jam ndjerë shumë i lumtur’ e më pas vazhdon duke të të thënë se ka qenë i bindur që do të fitonte.
Por për të na rrëfyer më shumë për Lumin, sukseset e tij të deritanishme, madje edhe gjërat qe i pëlqejnë të bëjë më së shumti ka folur nëna e tij Lindita Jashanica – Rrahmani.
Ajo në një intervistë për KultPlus tregon për emocionet që kanë ndjerë pas marrjes së lajmit se Lumi ka fituar në garën e mbajtur në Dubai. Sipas saj për dhjetë ditë rresht kishin pritur me padurim që të merrnin rezultatet.
“Lumi dhe Gjini ishin duke bërë detyra kur mësuesja e Lumit kishte shkruar për të na njoftuar se Lumi tashmë ishte renditur i pari në garën e mbajtur në Dubai. Fillimisht nuk ju tregova fëmijëve meqenëse nuk kisha pranuar asnjë email konfirmimi, por pak më vonë ju thash që ti lënë detyrat sepse është kohë feste. Madje festa për ne dhe Lumin ka vazhduar për ditë të tëra”, tregoi kështu nëna e Lumit.
Ajo vazhdon rrëfimin e saj duke treguar se edhe për të dhe burrin e saj ishte një emocion i papërshkrueshëm, pasi që sipas Linditës në garë merrnin pjesë mbi 25 mijë fëmijë dhe afër 52 shtete. ‘Po them gëzim, por më shumë janë ndjenja të përziera’, vazhdon ajo.
Lumi kishte filluar të përgatitej për garën një muaj më herët e për këtë Lindita thotë se ka qenë një punë që ka marrë përkushtimin e gjithë familjes, përfshirë edhe vëllaut të madh të Lumit, Gjinin.
“Koha për përgatitjen e garës nuk ka qenë bash e lehtë për shkak se ishim në punë me bashkëshortin dhe gjithmonë ktheheshim vonë pasdite në shtëpi. Por, Gjinin çdo herë e ka pasur krahë të djathtë, sepse gjatë ditës ata çdo herë kanë ushtruar bashkë. Madje gjatë tërë kohës sa ushtronin më dërgonin video për të më treguar rreth punës së tyre”, pohoi Jashanica – Rrahmani për KultPlus.
Madje për këtë foli edhe vëllau i Lumit, Gjini i cili tha se ushtrimet nuk ishin çdo herë të lehta, sepse ndonjëherë nuk ishim të dy dakord që të ushtronin.
“Nuk ka qenë e lehtë sepse ndonjëherë unë nuk isha i gatshëm që të ushtroja e ndonjëherë nuk ishte Lumi”, shtoi Gjini, shkruan
Por, për Lumin fitorja në këtë garë nuk ishte suksesi i tij i vetëm, ai qysh në klasë të parë ka marrë bursë të plotë studimi në shkollën ‘Akademia Ora’.