Në kohën kur Shtetet e Bashkuara po ballafaqohen me valën e të ftohtit e në veçanti Teksasi, ku miliona njerëz kanë mbetur pa energji elektrike dhe ngrohje, njerëzit e vullnetit të mirë kanë filluar t’i ndihmojnë ata të tejkalojnë këtë krizë.
E ndër ta janë edhe çifti bashkëshortor shqiptar Ari Isufaj dhe Blinera Shurreca, të cilët janë pronarë të restorantit Bella Italia Ristorante në Teksas, të cilit ia hapën dyert për të gjithë ata qytetarë në nevojë.
Madje treguan edhe njëherë zemërgjerësinë dhe mikpritjen e traditën shqiptare – se duhet ndihmuar të tjerët në ditët më të vështira. Ari dhe Blinera këto ditë kanë shërbyer më shumë se 500 shujta me ushqim falas.
Dyshja ishin mysafirë edhe në televizionin Fox, ku me modesti folën për atë se çfarë i shtyu të ndërmarrin këtë veprim. Ari tha se dy vite më parë kur filluan biznesin ishte një përvojë e veçantë, e pas pandemisë së COVID-19, menduan se do të falimentojnë, por ishin klientët ata që i ndihmuan të mbijetojnë.
E pasi që Teksasi ka mbetur pa energji elektrike dhe ngrohje, çifti shqiptar u detyruan të përgatisin ushqimin me gaz dhe t’ua servojnë qytetarëve, që kishin nevojë edhe që të ngrohen në lokalin e tyre, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë që Ari ishte vetëm 14-vjeç kur u largua nga Kosova gjatë luftës në vitin 1999 duke emigruar në SHBA, e sot përpos që është i suksesshëm në biznes – po duartrokitet nga komuniteti për gjestin e tij dhe faktin që së bashku me bashkëshorten për asnjë moment nuk hezituan të ndihmojnë qytetarët.