Instituti për Shëndetin publik në Mal të Zi mori konfirmimin nga laboratori gjerman i klinikës Charite në Berlin, se në mostrat e dërguara atje ishte identifikuar varianti britanik i Covid – 19. Pasi kemi të bëjmë me virus, i cili ka një përhapje shumë të lartë, sipas ekspertëve, gjatë ditëve të fundit është shtuar dukshëm numri i të infektuarve me ketë virus. Mali i Zi, aktualisht renditet i pari në rajon me 1.376 të infektuar me koronavirus për 100.000 banorë. Për shkak të situatës tejet të rëndë epidemiologjike dhe numrit të shtuar të të sëmurëve dhe viktimave, pas mbylljes së Budvës dhe Tivatit, me urdhër të institucioneve përkatëse u mbyllën të gjitha objektet e hotelisë në Nikshiq, Cetinjë, Podgoricë, Herceg Novi, Ulqin dhe Kotorr.
Shpresa tek vaksinat
Ndërkohë që situata është tejet alarmante e tërë vëmendja është e përqëndruar tek vaksinat. Të mërkurën (17.02) në Mal të Zi mbërriti kontigjenti i parë me vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë dhuratë nga Serbia. Në aeroportin e Podgoricës Kryeministri Zdravko Krivokapiq priti homologen e tij serbe Ana Brnabiq, të cilën e falenderoi dhe i tha, që ”ky donacion është dëshmi e respektit të madh. Ky veprim do të jetë një fillim i ri në zhvillimin e marrëdhënieve misi dy vendeve që në një periudhë të caktuar kohore kishin shënuar ngecje”, është shprehur Krivokapiq, shkruan DW.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiq është shprehur, se Serbia do t’i dhurojë Malit të Zi edhe vaksina të tjera. Sipas saj donacioni për mbi 4.000 dozash është i mjaftueshëm për fillimin e vaksinimit. Ajo solli mesazhin e presidentit të Serbisë Alaksandar Vuçiq, që”me këtë gjest hapim një kapitull të ri të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Malit të Zi”. Zëvendëskryeministri i Malit të Dritan Abazoviq, i cili ka qenë drejtpërdrejt i angazhuar në bisedime me Serbinë për këtë donacion, i shprehu mirënjohje qeverisë së Serbisë për – siç tha ai – “këtë gjest njerëzor”.
Kontigjenti i sapo mbërritur i vaksinave do të jetë në shërbim të personelit mjekësor si edhe strehimoreve të kujdestarisë për të moshuarit. Ministrja e Shëndetësisë Jelena Boronoviq Bojoviq ka bërë të ditur se Mali i Zi pret furnizim me vaksinën ruse, e cila është siguruar nga negociatat e drejtpërdrejta me Rusinë. Sipas saj, Mali i Zi do të furnizohet edhe me vaksinën kineze dhe atë gjermano-amerikane Pfizer/BioNtech. Mali i Zi është ndër vendet e fundit në rajon që fillon imunizimin kundër COVID-19.