Është zbuluar në Itali një variant i ri dhe i rrallë i koronavirusit.
Mediat italiane raportojnë se ky variant i ri, i paidentifikuar asnjëherë në Itali, është zbuluar nga Instituti Pascale dhe Universiteti Federico II, në zonën e Napolit.
“Për momentin, nuk dihet fuqia e infeksionit dhe karakteristikat e tjera të këtij varianti, siç ndodh për shumë variante të rralla të virusit. Quhet B.1.525, dhe deri më tani vetëm 32 raste janë identifikuar në Britaninë e Madhe, dhe disa raste gjithashtu në Nigeri, Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara, por asnjëherë më parë në Itali”, thuhet në një deklaratë të Rajonit Campania.
“Një profesionist që u kthye nga një udhëtim në Afrikë, rezultoi pozitiv me Covid-19 pas testimit. Falë bashkëpunimit të laboratorëve Federico II dhe Pascale, Giuseppe Portella i Federico II u identifikua rasti shumë i dyshimtë dhe në një kohë shumë të shkurtër ekipi i Nicola Normanno të Pascale ka zbuluar një variant Covid të paparë kurrë më parë në Itali deri më tani”, thuhet në deklaratë, transmeton gazeta Express.
“Sekuenca e mostrës që na erdhi nga Policlinico Federiciano, shpjegon studiuesi i Institutit të Tumoreve të Napolit, na bëri të dyshojmë menjëherë, sepse nuk paraqiste ngjashmëri me mostrat e tjera nga rajoni ynë. Pas një krahasimi me grupin e Departamentit në Institutin Superior të Shëndetit patëm konfirmimin se është një variant i zbuluar deri më tani në rreth njëqind raste në disa vende evropiane dhe afrikane, por edhe në Shtetet e Bashkuara. Ne menjëherë e depozituam sekuencën në bazën e të dhënave ndërkombëtare GISAID dhe njoftuam autoritetet shëndetësore”. Të gjitha procedurat e parashikuara filluan menjëherë, duke filluar me gjurmimin e kontaktit”,thotë deklarata.