Anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi është shprehur se do të donte t’ia uronte fitoren Vetëvendosjes, po se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, përcjellë InLajmi.
Kjo pasi që sipas tij s’mund t’ia uroj askujt fitoren e popullizmit.
Sipas tij rezultati i Vetëvendosjes nuk është fitore e Kosovës, por fitore e një mashtrimi të ri.
Postimi i tij i plotë:
Do të kisha dashur t’ia uroj Kosovës zgjedhjet e 14 Shkurtit. Si të tjerët.
Por s’mundem. Sepse s’mund t’ia uroj askujt fitoren e popullizmit. As atyre që fituan. S’mund t’ia uroj Kosovës dhe askujt fitoren e mendësisë autoritare.
Do të doja të uroja, por fitorja s’ka vlerë në vetëvete. Fitore e kujt dhe për çka? Për një shtet ku pabarazia e mos-zhvillimi ekonomik do të vazhdojnë? Jo faleminderit. Për një shtet ku liria e demokracia do të rrezikohen? Kjo nuk është fitore. Jo e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ështe fitore e një mashtrim të ri, me liderin suprem në krye.
Mos harroni që fitore të thella, edhe më bindëse se kjo, kanë arritur shpesh të korrin projektet politike fort famëkeqe në të kaluarën. Veçanërisht ato. Por historia sot i ngre në piedestal jo ata që uruan. Që u tërhoqën para triumfit të forcës e të numrave. Historia u dha të drejtë atyre që s’u nënshtruan e s’u zbythën. Atyre që qëndruan ulur, kur të gjithë iu ngritën në këmbë liderit. Atyre pak njerëzve që u ngritën në këmbë, atëherë kur shumica ishte e përulur.
Nuk do të bëhem pjesë e korit, vetëm pse ai po këndon. Sepse kënga që po e këndon është e zymtë dhe mbytëse. Është këngë unison, pa larmi e dallime. E do të ishte edhe më ogurzezë po t’mos kishte disonancë.
Prandaj do të disonojë. Kundër hegjemonisë së diskursit të ri. Bashkë me të gjithë ata që nuk iu nënshtruan këtij urimi hipokrit. Për një melodi të re, të larmishme, të hapur e progresive. /InLajmi/