Por, një qëndrim i tillë i ish-kryeministrit të Kosovës i cili si fitues i zgjedhjeve pritet ta drejtojë qeverinë e ardhshme është në kundërshtim dhe në shpërputhje me deklarimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philipp Kosnett dhe thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare
Përveç deklarimeve të tij në ditën e zgjedhjeve, Kurti edhe sot në një intervistë për “Le Temps” franceze është shprehur se ekonomia dhe drejtësia janë prioritetet e tij dhe siç e ka quajtur vet Kurti, ai mund të bëjë “kompromis” që dialogun ta vendos si prioritet të tretë ose të katërt, nga vendi i gjashtë ose shtatë ku kishte deklaruar më herët.
“Kjo temë renditet e gjashta ose e shtata midis prioriteteve të qytetarëve. Të gjitha sondazhet tregojnë se shqetësimet e tyre kryesore janë punësimi, ekonomia, drejtësia… Sidoqoftë, unë jam i gatshëm të bëj një kompromis, për ta vendosur dialogun në rendin e tretë ose të katërt të përparësive të mia! BE-ja dhe Ballkani janë shumë të rëndësishme për njëri-tjetrin, por më shumë sesa për një treg të përbashkët, kemi nevojë për investime. Evropa Juglindore po e zbraz trurin dhe BE-ja duhet të na ndihmojë ta ndalojmë këtë gjakderdhje. Vendet e Ballkanit Perëndimor një ditë do të integrohen dhe mendoj se të gjitha duhet të jenë në të njëjtën kohë. Nëse një prej këtyre shteteve hyn në BE para të tjerëve, ne përsëri do të kemi probleme, siç është rasti midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.”, tha Kurti për Le Temps.
Por, krejt ndryshe mendon ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philipp Kosnett i cili është takuar gjatë ditës së sotme me liderin e partisë fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurtin.
Pas takimit, Kosnett nuk është deklaruar për media, por ai përmes një postimi të ambasadës amerikane është shprehur se nxit partitë të punojnë në krijimin e qeverisë dhe kuvendit dhe të merren me adresimin e sfidave të ngutshme.
“I kënaqur të takojë Albin Kurtin dhe të urojë Lëvizjen Vetëvendosjen për fitoren e saj dhe diskutuam për rrugën e Kosovës përpara. Ne i nxisim partitë të punojnë shpejtë për të krijuar Qeverinë dhe Kuvendin që t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe në adresimin e sfidave”, shkruan Kosnett.
Njëlloj lidhur me dialogun mendon edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Presidenti Biden në letrat e tij dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe presidentës në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani e cila ishte pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje ka kërkuar rifillimin e dialogut që përfundon me njohje reciproke.
Në letrën dërguar Vuçiq, Biden shprehet se Serbia duhet të vazhdojë rrugëtimin për integrim evropian dhe duke përfshirë edhe këtu marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqëndruar në njohje reciproke.
“Në emër të popullit Amerikan, ju shpreh urimet e mia të përzemërta juve dhe qytetarëve tuaj të tjerë ndërsa festoni ditën kombëtare të Serbisë më 15 Shkurt. Ndërsa përkujtojmë 140 vjet partneritet midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara mbajnë angazhimin e tyre të qëndrueshëm për të promovuar bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe vlerat demokratike. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke. Fuqia e marrëdhënies sonë është e ndërtuar mbi një histori të thellë të lidhjeve njerëz me njerëz, duke luftuar si aleatë në të dy Luftërat Botërore dhe ne çmojmë kontributet e mëdha që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në luftimin e pandemisë COVID-19 ndërsa bashkërisht përballemi me këtë sfidë të paparë globale”, ka shkruar Biden në letrën e tij.
Një gjë të tillë për dialogun, Biden ia ka kërkuar edhe u.d të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Biden në këtë letër i ka thënë Osmanit se ka punë të mëdha për t’u bërë dhe këtu përfshihet edhe marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që bazohet në njohjen e ndërsjelltë.
“Populli amerikan i bashkohet urimeve të mia për ju dhe miqtë tanë në Kosovë në 13-vjetorin e Pavarësisë së vendit tuaj. Lidhjet ndërmjet popujve tanë mbeten forta, bazuar në një përkushtim të përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës si dhe forcën tuaj të qendrueshme si një vend sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik. Ne mezi presim të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në njohjen e ndërsjelltë me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të begatë per të giithë qytetarët e Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje. Për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenje respekti te kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për të siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës!”, ka shkruar Biden, shkruan lajmi.net.
Mbetet të shihet se kur do të formohen institucionet e reja të Kosovës dhe si do t’i radhisin partitë udhëheqëse të vendit prioritetet e tyre karshi sfidave me të cilat përballet Kosova.