23-vjeçari, M. Kurti, mbeti i vrarë mbrëmjen e së premtes në vendin e tij të punës.
E dorasi nuk është kapur ende nga Policia, por që hetuesit policorë tashmë kanë identifikuar dy persona të dyshuar lidhur me rastin.
Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Ai tha për Gazetën Online “Reporteri.net” se rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim të plotë me prokurorin e rasitin në drejtim të kapjes së të dyshuarve.
“Mbi bazën e veprimeve të deritanishme, hetuesit policor kanë identifikuar identitetin e dy personave të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të kapjes së të dyshuarve dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë.”, tha Zahiti
Sipas njoftimit të Policisë, dy persona kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tre personave të tjerë, e ku si pasojë e plagëve të marra, i riu ka humbur jetën.
Lidhur me këtë rast, për Gazetën Online “Reporteri.net” kanë dhënë detaje edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valon Preteni tha se nuk dihen arsyet e vrasjes.
“Mund të konfirmojmë që pas të shtënave me armë zjarri në rrugën ‘Bislim Bajgora’ (afër ETC), një person i gjinisë mashkullore ka mbetur i vrarë, ndërkaq dy persona tjerë të plagosur janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Trupi i personit të vrarë me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Për momentin nuk dihen motivet e këtij rasti, Prokuroria Themelore e Mitrovicës në koordinim me policinë janë duke e hetuar këtë ngjarje”, ka thënë Preteni