Nga Komuna e Vitisë kanë reaguar ndaj LVV-së ku sipas tyre kjo e fundit i ka akuzuar lidhur, me pretendimet se është mohuar e drejta e shfrytëzimit të shkollës së mesme të ulët në fshatin Drobesh për fushatë zgjedhore, përcjell InLajmi.
Nga Drejtoria Komunale e Arsimit kanë thënë se asnjëherë nuk i kanë mohuar askujt të drejtën mbi shfrytëzimin e objektit në fjalë.
Madje siç i quan drejtori i DKA-së “gënjeshtra të pacipa”, deklaratat e tilla thotë se nuk i bëjnë favore askujt.
Postimi i plotë i Komunës së Vitisë:
Reagim ndaj akuzave të pabaza të LVV-së për tubimin elektoral në fshatin Drobesh
Pretendimet e LVV-së se gjoja i’u është mohuar e drejta e shfrytëzimit të shkollës së mesme të ulët në fshatin Drobesh nuk qëndron, meqë LVV nuk ka parashtruar ndonjë kërkesë paraprake për tubim.
Ne si DKA asnjëherë nuk u’a kemi mohuar askujt të drejtën mbi shfrytëzimin e objektit, të drejtë të cilën LVV-ja e ka shfrytëzuar edhe në shkolla të tjera por gjithnjë duke paralajmëruar kompetentët dhe përgjegjësit e shkollës. Askush nuk ka të drejtë as të u’a mohojë pjesëmarrjen dhe shfrytëzimin e infrastrukturës, që do të ishte shumë gabim, por në këtë rast nuk kishte njoftim paraprak.
Unë personalisht si Drejtor i DKA-së këtë akuzë/ njoftim e kam kuptuar nga mediumet lokale andaj në emër të DKA-së në Viti, shprehim indinjatë ndaj kësaj akuze të pabazë, të cilën e shohim edhe si provokim të drejtpërdrejtë të institucioneve lokale.
Deklaratat dhe qëndrimet që i atribuohen gënjeshtrave të pacipa, të qëllimshme nuk i bëjnë favore askujt, e lëre më një partie politike apo gazetarisë profesionale, apo siç do të thoshte
Makiavelli ,“Qëllimi nuk i përligj mjetet”.
Në kohën kur informimi është aq i shpejtë kjo nuk do duhej të ishte problem, dhe disa që pretendojnë nivelet më të larta të qeverisë nëse nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi atëherë përgjegjësia mos të shpërndahet por të bëhen më përgjegjës për veprimet e tyre. /InLajmi/