Kandidati për presidenti nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, e vazhdoi vizitën e tij këtë të premte në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë, ku u takua me kryeimamin Idriz ef.Gjigoli me bashkëpunëtorë, raporton InLajmi.
Ai tha se bashkëjetesa mes besimeve të ndryshme, duhet të shërbejë si model edhe për skenën politike e cila ka nevojë për unitet në përballje me krizën ekonomike dhe forcimin e shtetit.
“E nisa ditën me vizitë në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë ku takova kryeimamin Idriz ef. Gjigoli me bashkëpunëtorë.
Shqiptarët mbeten shembulli më i mirë i bashkëjetesës, vlerë kjo e trashëguar dhe ruajtur brez pas brezi”, ka thënë Haradinaj.
Ai tutje tha se e vlerëson kontributin e prijësve fetar në çështjet kombëtare.
“Përpjekjet tona për liri e pavarësi, kanë njohur kontributin e prijësve fetarë të të gjitha feve në mesin e shqiptarëve.
Bashkëjetesa mes besimeve të ndryshme, duhet të shërbej si model edhe për skenën politike e cila ka nevojë për unitet në përballje me krizën ekonomike dhe forcimin e shtetit”, ka thënë Haradinaj./InLajmi/