Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar ndaj dënimit të Zoran Gjokiq, ku ka thënë se 12 vite janë pak për këta lloj monstrash gjenocidalë, përcjell InLajmi
Ajo ka shtuar se dënimi i një personi të vetëm është pak, për të mos thënë asgjë, për tmerret që i kanë shkaktuar popullit të Kosovës
Stublla theksoi se Kosova kërkon drejtësi ndaj veprave makabre të secilit Gjokiq e çifteve të tij
Postimi i plotë i saj:
Kosova e pavarur e ka marrë drejtësinë në duart e veta, dhe sot e provoi duke dënuar më në fund të tmerrshmin e ‘Kristalit’ në Pejë, Zoran Gjokiq-in.
E megjithatë ky dënim vjen vonë, edhe vjen i cunguar. 12 vite janë pak për këta lloj monstrash gjenocidalë. Dënimi i një personi të vetëm është pak, për të mos thënë asgjë, për tmerret që i kanë shkaktuar popullit të Kosovës.
Drejtësia duhet të vijë e plotë; kjo nuk është aspak një fitore, është një moment thirrjeje për të vënë drejtësinë e munguar në vend. Kosova kërkon drejtësi ndaj veprave makabre të secilit Gjokiq e çifteve të tij.
Koha ka ardhur për drejtësi të plotë dhe përfundimtare për luftën e Kosovës! /InLajmi/
