Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, njofton se ka pranuar një letër nga ministri i Punëve të Jashtme i Comors, përcjell InLajmi.
Sipas tij letër kjo në të cilën e siguron atë se lajmet për tërheqjen e njohjes së pavarësisë janë të pavërteta dhe njohja e ndërsjellë vazhdon të jetë e paprekur.
Pacolli thotë se Serbia ka lobuar në këtë shtet që ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, por kjo nuk është arritur.
Madje ai këshillon udhëheqësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme që nëse nuk arrijnë të sjellin njohje të reja “të paktën do të duhej të krijonte një sistem të mirëmbajtjes së raporteve”
Postimi i plotë i tij:
Kam pranuar një letër nga ministri i punëve të jashtme të Comors, i cili më siguron se njohja e lidhur njëherë mes nesh, vazhdon e paprekur dhe e shëndoshë si atëherë kur e arritëm.
Pas lobimit intensiv dhe udhëtimeve të shumta, kishim arritur që të sigurojmë njohjen e Comors.
Propaganda parapolitike serbe ka tentuar shumë që të ndikojë në këtë shtet që ta tërheqë njohjen dhe ta zhbëjë punë tonë.
Madje ka pasur edhe lajme në mediat serbe se Comors ka tërhequr njohjen.
Por, miqësitë e vendosura nga ne, janë të pazhbëshme, sepse janë produkt i punës, angazhimit e dashurisë për vendin.
Prandaj ministri i Comors më shkruan se lajmet janë të pavërteta dhe njohja e ndërsjellë vazhdon e paprekur.
Përkundër se aktualisht nuk jam në pozitë zyrtare si Ministër i Punëve të Jashtme dhe as nuk mbaj post tjetër qeveritar, letra më është dërguar mua.
Miqësia e krijuar nga takimet e shumta e bisedat e gjata argumentuese për ta njohur Kosovën u kanë mbetur në mendje liderëve nëpër botë, ndaj edhe kur unë personalisht nuk jam në pushtet, ata më drejtohen mua me letrat zyrtare.
Më vjen mirë që kam krijuar e mirëmbajtur këto kontakte dhe jam adresë për miqtë tanë.
Por, në këtë mes ka një dhimbje.
Politika jonë e jashtme, meqë nuk ka arritur të krijojë njohje të reja, të paktën do të duhej të krijonte një sistem të mirëmbajtjes së raporteve dhe letra si kjo t’i shkojnë shtetit, pastaj mua. /InLajmi/