U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përshëndetë aktin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit, ceremoni kjo që pritet të mbahet sot.
Ajo ka vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet 2 popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi.
“Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hapë rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sot me një ceremoni virtuale do të firmoset formalizimi i marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.
Firmosja zyrtare e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gabriel Ashkenazi.
Në ceremoninë e nënshkrimit do të marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan Reporteri.
“Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, kishte thënë shefja e diplomacisë kosovare, kur kishte njoftuar se ceremonia e nënshkrimit do të bëhej më 1 shkurt.