Letrat e lagura mund të jenë një zgjidhje e shpejtë për të hequr makeup-in kur jeni të lodhura nga një ditë e gjatë pune, ose nga një mbrëmje e kaluar jashtë.
Ndërkohë që e bëjmë këtë, në vete na lind dyshimi: Jemi duke e dëmtuar lëkurën apo jo? Sa dëm po i bëjmë fytytrës duke përdorur një letër të lagur në vend të larësit?
Gjithmonë predikohet mbi pasojat që ka fjetja me makeup ende në fytyrë, produktet që bllokojnë poret, mbledhin papastërtitë dhe irritojnë lëkurën. Edhe pse me anë të letrave të lagura ju në fakt po e hiqni makeup-in (diçka që realisht duhet bërë), çdo gjë ka edhe efekte anësore, transmeton Anabel.
Përpiquni t’i përdorni në raste të rralla emergjence dhe sa më pak të jetë e mundur. Në të tilla raste, duhet të keni parasysh solucionet që përmbajnë letrat e lagura për efekte anësore minimale. Nëse ato kanë përmbajtje alkooli kjo do t’ju irritojë lëkurën e do t’jua thajë atë. Mundohuni të evitoni edhe ato me aroma artificiale. Gjithashtu mbani mend që edhe pse ju keni përdorur letrat e lagura, sërish duhet ta shpëlani fytyrën me ujë të rrjedhshëm si në rastin nëse do të përdornit rrugën më të gjatë.