Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë se mund të shkruhen libra të tërë për figurën e Ibrahim Rugovës, por asnjë nuk mund ta portretizojë më mirë se sa një shkrim i akademikut Sabri Hamiti në 15 vjetorin e vdekjes së tij.
“Shkrimi i Sabri Hamitit dje ishte një portretizim më së miri i përmbledhur ndonjëherë për Ibrahim Rugovën. Mund të shkruhen libra të tërë, por nuk mund ta përmbledhin në këtë mënyrë. Filozofia politike e Ibrahim Rugovës është e mbështetur mbi një dije – nuk është veprim i atypëratyshëm i nxitur nga një pasion, apo rrëmbim çasti, por është një projekt i formuar në perëndim. Koncepti i Ibrahim Rugovës ka qenë koncept perëndimor, sepse është formuar në perëndim. Ibrahim Rugova si personalitet është formuar që nga lindja e tij – një figurë paksa e tërhequr, që në tërheqjen e vetë është personaliteti tjetër i cili është duke u përgatitur – larg të qenit profetik”.
Paçarizi, në Edicionin e Analizës në Klan Kosova, ka thënë se Ibrahim Rugova nuk ishte profet.
“Ibrahim Rugova nuk është profet. Ka qenë një njeri i dijshëm dhe një nacionalist serioz që ka dashur t’i shkojë deri në fund idesë së tij. Është formuar në perëndim prej nga del edhe njohja e perëndimit. E ka njohur mirë Rilindjen Kombëtare, para së gjithash idetë e Ibrahim Rugovës i shoh te vepra e Bogdanit të cilën e ka studiuar”.
“Duke u gjetur si pjesë e një projekti natyrshëm del në krye të projektit për ta udhëhequr një ‘rilindje tjetër kombëtare’ e cila mbështetet në disa mite, sepse jo rastësisht Rugova i qaset shpjegimit të simbolikave ilire”.
Profesori Paçarizi ka thënë se presidenti historik në atë kohë i ka ruajtur shqiptarët brenda një drejtimi, pasi, sipas tij, mjaftonin disa njerëz apo grupe të caktuara që ta prishnin komplet projektin.
“Rugova nuk ka qenë vetëm, sepse ka pasë njerëz që kanë qenë pjesë e projektit si Sabri Hamiti, Rexhep Ismaili, Fehmi Agani dhe një numër i madh i njerëzve”.
Paçarizi ka insistuar se Ibrahim Rugova nuk është profet, derisa ka thënë se fryma rugoviste është keqpërdorur shumë.
“Ibrahim Rugova nuk është as profet dhe as engjëll. Si njeri i ka gabimet e tij, por Ibrahim Rugova është ky që është dhe po të mos ishte i tillë nuk do të kishte luftë dhe vrap për frymën rugoviste e cila është keqinterpretuar dhe keqpërdorur më së shumti. Kjo ka shkuar deri në masën sa jam ndjerë i mllefosur kur njerëzit shkruajnë në rrjete sociale thënie palidhje gjoja se i ka thënë Ibrahim Rugova”.