Ligji për Barazi Gjinore në Kosovë përcakton se 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë gra. Pikërisht duke u bazuar në këtë Ligj, subjektet politike janë zotuar se do të respektojnë kuotën gjinore 30 për qind edhe në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kryetarja e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Lirije Kajtazi ka thënë për Express, se ndonëse nuk është finalizuar ende lista zgjedhore, kjo parti do të ketë aty gra me potencial dhe që kanë kontribuar në parti.
“Lista ende nuk është finale por natyrisht që është edhe obligim ligjor por edhe ka potenciale që 30% me qenë gjithsesi i përfaqësuar nga gratë. Kur ajo të publikohet besoj që do ta shihni se ka gra me potenciale dhe që kanë kontribuar në punën e partisë”.
Njësoj po thonë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Zëdhënësi i partisë, Përparim Kryeziu ka thënë për Express se LVV-ja ka për synim programor dhe politik përmirësimin dhe zhvillimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe në politikëbërje.