Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se qyteti që ai e drejton e ka gjendjen më të mirë nga vërshimet, përcjell InLajmi.
Ai tha se Situata në Ferizaj është plotësisht e menaxhueshme, kjo për faktin se, sipas tij, me kohë janë bërë punë cilësore në projekte infrastrukturore.
Postimi i plotë i tij:
Reshjet e mëdha e të pandërprera të shiut si në gjithë Kosovën, kanë shkaktuar vërshime edhe në Ferizaj, ndonëse territori ynë është me më së paku dëme e bllokime rrugësh, kjo për faktin se me kohë janë bërë punë cilësore në projekte infrastrukturore ku vlen të përmendet se vetëm gjatë viteve 2019 dhe 2020 është bërë hapja e afro 150 kilometrave kanal ujor për të parandualuar vërshimet.
Situata në Ferizaj është plotësisht e menaxhueshme. Jam vazhdueshëm në terren dhe në kontakt me ekipet emergjente që parreshtur po bëjnë përpjekje ta sanojnë gjendjen aty ku paraqitet më e vështirë.
Bllokimet e pakta të rrugëve dhe nënkalimeve apo dëmet e shkaktuara nga vërshimet në amviseri apo biznese, kryesisht në bodrume, nuk kanë të bëjnë me mungesë cilësie në punime, porse janë shkaktuar nga faktori njeri, veprime të papërgjegjshme për mbylljen e kanalizimit, për të cilën vazhdueshëm kemi bërë e po bëjmë hapjen e tyre.
Kjo është fatkeqësi natyrore dhe autoritetet lokale po bëjnë më të mirën, për t’iu gjendur pranë banorëve në lokalitete të ndryshme”./InLajmi/