Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci është takuar me ish-deputetin Azem Syla, kryetarin e degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha dhe kryesuesin e Asamblesë së Drenasit, Labinot Halilaj,, përcjell InLajmi.
Ai ka thënë se Drenica gjithmonë ka qenë dhe është bashkë, sipas tij, kur bëhet fjalë për interesin nacional.
Postimi i plotë i tij:
“Drenica gjithmonë ka qenë dhe është bashkë, kur bëhet fjalë për interesin nacional.
Falënderoj Azem Syën, Sejdi Hoxhën dhe Labinot Halilajn për vizitën dhe përkrahjen me rastin e nominimit tim për kryetar të komunës në mandatin e ardhshëm. Kjo përkrahje, ka kuptim në funksion të mirëqenies së qytetarëve, përmirësimin e kushteve të jetës për qytetarët tanë, duke e bërë datën 14 shkurtin, datë të festës për votën e fuqishme të qytetarëve të komunës tonë dhe Drenicës për PDK-në.
Djepi i UÇK-së, Drenica, vatra e luftës dhe çlirimit, është rritur në nivel nacional falë unitetit tonë, duke u identifikuar pas çlirimit si bastion i PDK-së. Edhe sot, ashtu siç e kam cekur më herët, do të jemi unik, si asnjë herë më parë, sepse, vizioni ynë për fuqizimin e shtetit, për zbatimin e ligjit dhe mundësive të barabarta, janë frymëzimi ynë.
Dhimbja jonë, nga 6 nëntori 2020, është e lidhur me ndalimin e padrejtë të liderëve tanë në Hagë, andaj përkushtimi ynë për fitore, do të jetë i motivuar më shumë se çdo herë në Kosovën e lirë dhe kauzat e udhëheqësve tanë drejt çlirimit dhe fuqizimit të shtetit.
Uniteti ynë, ka qenë dhe është çelësi i fitores!”./InLajmi/