Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, është takuar sot me përfaqësues të bizneseve në Prizren. I pari i ekzekutivit “paralajmëroi” bizneset vendore të përgatiten për bashkëpunim me kompani amerikane.
Sipas Hotit, Lidhja Demokratike e Kosovës, në katër vitet e ardhshme do të arrijë të investojë 1 miliard dollar në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit.
“Është bërë shumë zhurmë për këtë marrëveshje, dhe krejt kjo për qëllime politike. E vërteta është se Marrëveshja e Uashingtonit, e fuqizon Kosovën në aspektin politik dhe ekonomik. Katër vitet e ardhshme i sjellin Kosovës rreth 1 miliard dollar nga kompanitë amerikane në bashkëpunim me kompanitë vendore dhe ju duhet të përgatiteni për këto projekte, siç janë hekurudha nga Durrësi në Prishtinë si dhe autostrada”, tha kryeministri Hoti, përcjell Gazeta Express.
Sipas kryeministrit në detyrë, Qeveria Hoti nuk i ndërron politikat e saj “çdo natë” dhe, kësisoj, do të zhvillojë sektorin privat.