Deputeti nga radhët e PDK-së, Fatmir Xhelili ka njoftuar se është tërhequr nga angazhimet e tij politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përcjell InLajmi.
Ai ka konsideruar se tani është koha për t’i dhënë hapësirë gjeneratave të reja që të inkuadrohen në politikë.
“Unë kam vendosur përfundimisht të tërhiqem prej angazhimeve të mia në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Tani është koha, besoj, për t’i dhënë hapësirë shtesë një gjenerate të re politike, të përkushtuar për t’i shërbyer Kosovës me ndjenjën më të thellë të atdhedashurisë”,është shprehur Xhelili.
Ndër të tjera Xhelili ka theksuar se do të vazhdojë t’a mbështes edhe më tutje PDK-në për arsye historike e politike.
“Shpresoj shumë, sinqerisht shumë, se kam përmbushur pritshmëritë duke qëndruar në lartësinë e besimit që më kanë dhënë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, për shumë arsye historike e politike, unë do të vazhdoj mbështetjen politike për Partinë Demokratike të Kosovës”,tha ai.
Ndërkaq ka vazhduar duke thënë se në çdo rrethanë Kosova duhet të jetë e para, edhe para çdo partie politike.
“Përtej këtij përcaktimi partiak, uroj se Kuvendi i ardhshëm e deputetët e rinjë, do t’iu japin përparësi të padiskutueshme interesave shtetërore të Kosovës, sepse koha ecën shpejtë, pavarësisht faktit nëse ne vendnumërojmë ose bashkëhapërojmë me të. Në çdo rrethanë e përtej çdo partie, Kosova duhet të jetë jo vetëm e para, por edhe mbi të gjitha.
Falemnderit nga zemra për besimin e dhënë dhe mbështetjen e pakursyer për punën time për më shumë se një dekadë si përfaqësues i popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës”,ka deklaruar ai./InLajmi/.