Nga reshjet e vazhdueshme të shiut komuna e Drenasit po vazhdon të ballafaqohet me vërshimet në pjesën e qytetit dhe fshatrat për rrethë, shkruan InLajmi.
Në një intervistë për gazetën InLajmi, Laureta Thaçi, zyrtare për informim në këtë komunë ka thënë se ekipet e emergjencave, stafi i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë dhe shërbimi i zjarrfikësve është në terren për të monitoruar situatën
“Për shkak të reshjeve të shiut, në disa pjesë të qytetit dhe fshatrave, ka pasur vërshime. Por, ekipet e emergjencave, stafi i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë dhe shërbimi i zjarrfikësve është në terren për të monitoruar situatën dhe për t’ju dalë në ndihmë qytetarëve apo bizneseve të cilat mund të kenë dëme nga shiu. Pra, jemi vazhdimisht në terren dhe ekipet në kuadër të kapaciteteve, po mundohen të sanojnë dëmet e shkaktuara nga shiu”,është shprehur ajo.
Lidhur me shtëpitë e fshatrave për rreth Thaçi është shprehur se ekipet i kanë dalur në ndihmë banorëve të kësaj komune.
“Ekipet kanë qenë aty për të parë gjendjen, u kanë dalë në ndihmë banorëve, mirëpo, për shkak të ujit që ka dalë nga shtrati i lumit Drenica, nuk ka qenë e mundur të merret ndonjë masë tjetër parandaluese”,është shprehur ajo..