Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri ka folur edhe për largimin e Vjosa Osmanit.
E pyetur se a e ka dëmtuar largimi i Osmanit LDK-në, Gaxherri ka thënë se çdo personalitet që largohet e dëmton partinë.
“LDK-në e dëmton çdo personalitet që largohet kjo nuk don diskutim. Por profile të tilla si Vjosa Osmani natyrisht se e kanë peshën e vet por edhe rrugëtimin e vet, askush nuk na imponon të rrimë apo të shkojmë. Është krijuar një përplasje ose pakënaqësi e Osmanit me LDK unë mendoj se ajo është ngutur, është dashtë të jetë aty kemi qenë miq kolegë shokë, gjithçka në rrugëtim e sipër ndryshon me kohën. Duhet të mësohemi se mendimi duhet të jetë i lirë por atë moment që merret vendim nga shumica në organet e partisë ne duhet të pajtohemi”, ka thënë Gaxherri në “Dhoma e Rrëfimit” në T7.
Ajo ka theksuar se i vjen keq që Osmani nuk ka arritë ta vlerësojë respektin që e ka pas nga LDK-ja.
“Mua më vjen keq që nuk është zj.Osmani me ne dhe që nuk ka arritë ta vlerësojë respektin që e ka pas nga të gjithë ne, mbështetjen që e ka pas dhe jam shumë e sigurt që ajo nuk do të mund të jetë askund më mirë se në mesin tonë”.