Rrjetet më të mëdha sociale në botë, Facebook dhe Instagram do t’i mbajnë të bllokuara llogaritë e presidentit amerikan, Donald Trump, deri në fund të mandatit të tij, ka njoftuar shefi ekzekutiv i gjigantit teknologjik, Mark Zuckerberg.
Ngjarjet e fundit ku pas ftesës së Trumpit pati trazira në Washington, me përkrahësit e tij që hynë në ndërtesën e Kongresit duke shokuar gjithë botën, Zuckerberg ka thënë se kanë vendosur ta heqin presidentin nga rrjetet sociale me qëllim që të mos lejohet nxitje e dhunës së mëtejme, transmeton Insajderi.
“Në vitet e fundit, kemi lejuar presidentin Trump të përdorë platformat tona me rregullat tona, duke ia larguar përmbajtjet kohë pas kohe, kur shkeleshin rregullat. E bëmë sepse besojmë që publiku ka të drejtën e qasjes në fjalimet politike, edhe kur janë kontroverse. Por konteksti i fundit është fundamentalisht ndryshe, duke përdorur platformën tonë për të nxitur dhunë kundër qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike. Besojmë se rreziqet e lejimit të presidentit që të përdorë shërbimet tona gjatë kësaj periudhe janë tejet të mëdha. Prandaj do t’ia zgjasim bllokun që i kemi vënë në Facebook dhe Instagram pafundësisht dhe për të paktën dy javët e ardhshme deri sa të përfundojë kalimi i pushtetit”, ka njoftuar ai.