Gjatë 2020-ës, rreth 4000 qytetarë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Shtetësinë e kanë fituar rreth 300 të tjerë. Shifra përafërsisht të njëjta të heqjes dorë nga shtetësia kanë qenë edhe në vitin e kaluar.
Hiç më pak se 3633 persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, gjatë vitit që lamë pas. Ndërkohë që numri i atyre që kanë fituar shtetësinë e Kosovës në këtë periudhë është rreth 200.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, heqja dorë nga shtetësia e Kosovës po bëhet kryesisht për faktin se disa shtete evropiane nuk e njohin dyshtetësinë.
“Gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2020, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 3633 persona. Arsye e heqjes dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës është marrja e shtetësisë së ndonjë vendi të Bashkimit Evropian që nuk lejon dy shtetësi për shtetasit të cilët nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian. Gjate periudhës Janar-Dhjetor 2020 shtetësinë e Republikës së Kosovës e kanë fituar 177 persona”, ka thënë Rroksana Qarri zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Pikërisht liberalizimi i vizave dhe premtimet e parealizuara të politikanëve për këtë çështje, sipas njohësve është një ndër arsyet e pakënaqësisë së qytetarëve dhe largimit të tyre nga vendi amë.
Demush Shasha nga Instituti Epik, ka thënë për Express se qytetarët në këto rrethana janë duke kërkuar zgjidhje alternative për të migruar drejt vendeve të BE-së.
“Kjo është një çështje komplekse, në të cilën ne nuk kemi bërë ndonjë hulumtim me detaje. Në parim mund të themi se premtimet e vazhdueshme të politikaneve për liberalizimin e vizave të cilat asnjëherë nuk u materializuan krijojnë një mjedis ku qytetaret kërkojnë zgjidhje alternative për të migruar drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Shasha.
Shasha theksoi se qytetarëve në Kosovë u mungon edhe perspektiva.
“Duhet kuptuar qartë që edhe nëse ndodh liberalizimi i vizave qytetarët nuk do mund të qëndrojnë në BE më gjatë se 90 ditë në vit. Po ashtu besoj qe kjo dukuri do të vazhdoj edhe pas liberalizimit të vizave, pasi që ka të bëjë me mungesën e perspektives së qytetarëve për një jetë më të mirë në Kosovë”, ka thënë më tutje ai.
Në ndërkohë të dhënat e MPB’së flasin se për katër vite, gjithsej 20 mijë e 146 kosovarë kanë heq dorë nga shtetësia e Kosovës. .
Vetëm gjatë vitit 2019, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 5350 persona.
Edhe gjatë vitit 2018 janë liruar 5463 persona nga shtetësia e Republikës së Kosovës.
Ndërsa gjatë vitit 2017 numri i të liruarve nga shtetësia është 5700 persona.
Sipas këtyre rezultateve, numri më i madh i qytetarëve të Kosovës, jetojnë në Gjermani, Zvicër, pastaj në Itali, Suedi dhe Kanada, raporton Gazeta Express.
Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës konsiderohet të jetë edhe më i madh. Të dhënat përfundimtare të regjistrimit të diasporës pritet të publikohen gjatë këtij viti, pasi që të përfundojë edhe regjistrimi elektronik, i cili vazhdon të jetë aktiv.