Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, ka komentuar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përcjell InLajmi.
Sallahu thotë se këto rrethana nuk mund të vlejnë në raste të tjera për faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtesese nuk ka efekt prapaveprues në këtë rast.
Postimi i plotë i tij:
“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kontestuar vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë me pretendimin se Qeveria ishte antikushtetuese, e paligjshme që nuk ishte votuar me 61 vota siç parashihet me Kushtetutë.
Sot, Gjykata Kushtetuese publikoi Aktgjykimin e plotë duke vërtetuar plotësisht pretendimet tona për antikushtetutshmërinë e zgjedhjes se kinse-qeverisë Hoti. Kësisoj po shkojmë drejtë zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbahen në afatin e përcaktuar kushtetues, pasi ushtruesja e detyrës të marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në përmbajtje shpreh rrethanat e rastit konkret te humbjes se mandatit për të dënuarin me burg, z.Arifi. Pra për shkak se i njëjti ishte dënuar më burgim efektiv sipas një dënimi të formës së prerë.
Devijimi i krejt përmbajtjes së këtij Aktgjykimi të zyrtarizuar sot tek një element që nuk ka qenë objekt as i kërkesës sonë e as Gjykatës Kushtetuese nuk është gjë tjetër veçse dashakeqësi.
Këto rrethana nuk mund të vlejnë në raste të tjera për faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtesese nuk ka efekt prapaveprues në këtë rast.
Në lidhje me këtë, kandidatët e tjerë që jane dënuar me dënim me kusht në vitin 2018 janë lejuar të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare. Në atë kohë kufizimi nuk ka ndodhur për shkaqe që tashmë dihen e që janë në përputhje me ligjet në fuqi.
Nga ana tjetër, kur ndodh, kufizimi për të mos kandiduar do të duhet të jetë “kufizim i pandërprerë” për aq sa janë afatet ligjore e kushtetuese. Përndryshe çdo veprim tjetër nga autoritetet përkatëse, do të ishte në kundërshtim me parimin e drejtës së fituar, i cili është parim i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare publike dhe i rrënjosur si element i sundimit të ligjit brenda përmbajtjes së rendit kushtetues të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.
Të vepruarit ndryshe do të ishte në kundërshtim flagrant me nenin 7, 33 dhe 45 të Kushtetutës së Kosovës si dhe me konventat dhe aktet ndërkombëtare përkatëse. Andaj rasti i tillë nuk mund të vlejë për kandidatët që kanë pasur vendime për dënime alternative”./InLajmi/