Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur sot një konferencë për media përmes së cilës ka dalë me disa zotime publike në lidhje me përfshirjen e Luginës së Preshevës në jetën publike dhe politike të Kosovës, përcjell InLajmi.
Në këto zotime, ndër të tjera, Hoxhaj ka thënë se PDK-ja do të përfshijë në listën e saj për deputetë 2 përfaqësues nga Lugina e Preshevës si dhe të nisë iniciativën që shqiptarët e Luginës së Preshevës të pajisen me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës.
“Si një parti e dalë nga lufta dhe me themele të forta patriotike, gjithmonë ka qenë e përkushtuar që t’ia zgjas dorën e përkrahjes vëllezërve dhe motrave tona të Luginës së Preshevës.
Ne nuk jemi një parti populiste që flet për kombin dhe Luginën vetëm për vota, as nuk jemi parti për tregtarë flamujsh që patriotizmin e kanë vetëm për imazh, por PDK-ja gjithmonë, me veprime konkrete, i ka dalë në krah vëllezërve tonë në Luginë”, tha Hoxhaj.
Në 7 zotimet që ka bërë publike sot kandidati i PDK-së për kryeministër, përfshihen edhe Ligji për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, themelimi i Agjencisë Shtetërore për Luginën e Preshevës, rritja e kuotave për studentët nga Lugina dhe krijimi i kuotave të reja për studentët e dëbuar nga Lugina që ndodhen në Kosovë, katër pika të reja kufitare me Luginën e Preshevës dhe Fondi i përhershëm për kthimin e shqiptarëve të Luginës të dëbuar nga vatrat e tyre./InLajmi/
 
 
 
  
 















