Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani e ka kujtuar ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Tahir Zemajn, po ashtu djalin dhe kusheririn e tij, përcjell InLajmi.
Ajo ka thënë se këta të fundit u vranë, vetëm pse i njohën dhe i respektuan institucionet e vendit të ndërtuara nga Presidenti Rugova dhe nuk u nënshtruan para kërcënimeve.
Ndër të tjera ajo ka shtuar se vepra e komandant Zemaj mbetet e shënuar në historinë e Kosovës dhe gurëthemel i përpjekjeve për pavarësi
Postimi i plotë i saj:
Sot është 18-vjetori i vrasjes së komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, heroit të kombit, Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij, Enisit, si dhe kushëririt Hasan Zemajt. Ata u vranë pabesisht nga një dorë tinëzare, më 04 janar 2003, në hyrje të Pejës.
Ne humbëm një komandant lufte të shkolluar dhe një veprimtar të shkëlqyer, si dhe dy djem në lulen e rinisë, vetëm pse i njohën dhe i respektuan institucionet e vendit të ndërtuara nga Presidenti Rugova dhe nuk u nënshtruan para kërcënimeve. Për më tepër, vrasja e tyre, sikur edhe e shumë veprimtarëve të tjerë, mbeti sot e kësaj dite e pazbardhur.
Andaj, derisa e rikujtojmë sot këtë humbje të madhe, nuk mjafton vetëm të bëjmë thirrje për drejtësi, por duhet t’ia kujtojmë vetes po ashtu se është detyrim yni që të bëjmë shtet ligjor, i cili i mbron qytetarët e vet dhe e vendos drejtësinë në vend për krimet e kryera, të çfarëdo kohe qofshin ato.
Vepra e komandant Zemaj mbetet e shënuar në historinë e Kosovës dhe gurëthemel i përpjekjeve për pavarësi./InLajmi/.