Policia e Kosovës, në orët e para të mëngjesit (07:55), ka pranuar një informatë se në një Klinikë në Prishtinë, një person ka hipur në kulmin e ndërtesës (klinikës psikiatrike) dhe është duke tentuar që të kërcejë nga aty, përcjell InLajmi.
Njësitë policore të stacionit Jugu në Prishtinë kanë reaguar me shpejtësi në lokacion, me ç‘rast është njoftuar edhe njësia e zjarrfikësve dhe ambulanca.
Pas një bashkërendimi të mirë dhe profesional të veprimeve të të gjitha ekipeve për menaxhimin e situatës së paraqitur, me ndihmën e shkallëve të zjarrfikëseve është arritur që zyrtarët policor të afrohen deri afër personit që dyshohej se do të kërcej nga kulmi i ndërtesës (klinikës).
Zyrtarët policorë gjatë tërë kohës përmes veprimeve dhe komunikimeve mjaft profesionale për rrethanat e ngjarjes janë përpjekur ta qetësojnë personin në fjalë në mënyrë që ta shmangin incidentin dhe për një çast është arritur të kapet personi, mirëpo gjatë përpjekjeve për ta kapur, personi në fjalë tashmë i dyshuari mashkull/kosovar (viti i lindjes 1993) ka filluar të përdorë dhunë të vazhdueshme dhe duke sulmuar zyrtarët policorë. Megjithatë, falë përpjekjeve dhe vendosmërisë së zyrtarëve, i dyshuari është vënë nën kontroll dhe me ndihmën e zjarrfikësve është arrit zbritja e tij në tokë, përderisa i njëjti menjëherë i është nënshtruar trajtimeve mjekësore në klinikën psikiatrike.
Gjatë këtij intervenimi për ta parandaluar personin në fjalë të kërcej nga ndërtesa dhe ballafaqimit me të, lëndime trupore kanë marrë 3 zyrtarë policorë, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor në emergjencë.
Lidhur me rastin janë intervistuar edhe disa dëshmitarë dhe në konsultim me prokurorin janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave të rastit./InLajmi/