Subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, nëpërmjet një konference për media ka akuzuar ekzekutivin e komunës për një varg keqpërdorimesh.
Sipas opozitës drejtori i Inspektoratit Imer Rrustemi, ka ndërtuar objekt privat pa leje ndërtimore, ndërkohë ka ushtruar edhe presion edhe ndaj inspektorëve për raste të caktuara.
Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së në Lipjan, me këtë rast ka thënë se gjatë këtij viti kanë publikuar një varg keqpërdorimesh duke u nisur nga drejtorët me aktakuza, pastaj për kurdisje të tenderëve me kompani nga Podujeva, diskriminim të bizneseve ndërtuese lidhur me hartat zonale dhe një varg shkeljesh të tjera.
Por, sipas Rizanit ka ardhur koha te konflikti i interesit të drejtorit të Inspektoratit Imer Rrustemi, i cili sipas tij kishte ndërtuar objekt pa leje ndërtimore.
“Ekipet tona profesionale kanë hulumtuar se ky drejtor ka keqpërdorur pozitën zyrtare pasi që 2 shkurt të vitit 2019 ka ndërtuar një biznes pa leje ndërtimore duke shkelur ligjin për ndërtime Nr.04/L-110. Ndërkohë në muajin prill a po dy muaj më vonë po të këtij viti është bërë një kërkesë për ta pajisur për leje ndërtimore po të njëjtin biznes në drejtorinë e Urbanizmit. Fillimisht nuk i është lëshuar leja për shkak të shkeljeve ligjore, pasi që me ligjin 04/L-110 paraprakisht së paku është dashur të pajiset me një pëlqim nga drejtoria e urbanizimit”, ka thënë Rizani.
Sipas tij, ndërkohë, pas hulumtimeve të tyre, më 20.04.2019 kanë vërejtur se ky biznes i drejtorit të ekzekutivit të komunës është në përfundim e sipër dhe pas kësaj është bërë shkelja e radhës pasi që më 03.05.2019 familjari i drejtorit të Imer Rrustemit, ka bërë një njoftim publik për t’i njoftuar qytetarët se biznesi po fillon punën më 04.05.2019. “Pra, për kryetarin Ahmeti dhe vartësit e tij nuk shërbeu ligji për ndërtime. Ndërkohë pas dy muajve me dt.05/07.201, drejtoria e Urbanizmit e ka pajisur me leje ndërtimore gjë që ka shkelur ligjin Nr.04/L-110 nenit 14, 15, 19, 20 dhe 21 sepse nuk mund të lëshohet asnjë leje ndërtimore për një objekt i cili është ndërtuar më parë, pra në këtë rast është dashur t’i nënshtrohet procedurës për legalizim dhe jo për leje ndërtimore”, ka akuzuar Rizani.
Sipas tij, me këtë rast drejtori Rrustemi ka bërë shkelje ligjore të veprës penale pasi që neni 14 i këtij ligji tregon saktësisht llojet për të cilat ndërtime mund të lëshohet leja ndërtimore. Ndërkaq neni 15 i këtij ligji tregon kategoritë e ndërtimeve për lëshimin e lejes ndërtimore dhe certifikatës së përdorimit, neni 19 i këtij ligji tregon saktësisht se si duhet lëshuar leja ndërtimore, derisa neni 20 dhe 21 tregon procedurën e lëshimit të kërkesës.
“Pra, nga kjo që shihet, familjari apo drejtori Imer Rrustemi është pajisur me leje ndërtimore pasi që ka përfunduar punimet, andaj ekipet tona profesionale dyshojnë për të gjitha këto shkelje ligjore. Po ashtu në këtë proces dyshojmë se ka pasur edhe shkelje të tjera të konfliktit të interesit derisa nuk është përfillur procedura e lëshimit të lejes ndërtimore në bazë të ligjit Nr.04/L-110, duke dyshuar se drejtori i Inspektoratit ka bërë presion mbi inspektorët e ndërtimit”, ka thënë më tej Rizani.
Sipas tij, shkelja tjetër po ashtu në biznesin e drejtorit të inspektoratit ka të bëj me një zyrtar tjetër të komunës i cili e ka projektuar këtë projekt duke bërë ndërhyrje te sektori i urbanizmit për dhënie të lejes ndërtimore.
“Të nderuar qytetar, kemi edhe dyshime të bazuara se drejtori i Inspektoratit ka gjetur mënyrën e shantazhit për bizneset tjera të njëjta duke i bërë presione nëpërmjet inspektorëve për shkak të konkurrencës. Për këto shkelje të drejtorit të Inspektoratit Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, ftojmë Prokurorinë e Shtetit dhe Departamentin e Krimeve Ekonomike pranë Policisë së Kosovës që t’i hetojnë të gjitha këto shkelje”, ka shtuar ai, raporton koha.net.
Në anën tjetër rreth kësaj çështje Koha ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga drejtori i Inspektoratit Imer Rrustemi por ai të enjten nuk është përgjigjur në telefon.