Komuna e Mitrovicës vitin 2020 po e përmbyll edhe me një sukses në fushën e transparencës për qeverisje komunale, duke u radhitur e 2-ta në nivel të komunave të Kosovës.
Kujtojmë që ditë më parë Komuna e Mitrovicës, është radhitur e para në nivel të Kosovës për performancën më të mirë në kuadër të Grantit të Përformancës – Mjedisi i Pastër.
Nga ky raport Komuna e Mitrovicës është radhitur në vendin e dytë në nivel Kosove me pikët e përgjithshme 98.75%, duke u cilësuar si ndër komunat më transparente për transparometrin komunal për vitin 2019 sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).
Ky vlerësim është bërë në bazë të raportit nga metodologjia e matjes së transparencës dhe llogaridhënies për vitin 2019, në 38 komunat e Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës, përcjell Front Online.
Komunat janë vlerësuar në bazë të 41 treguesve, të grupuar në gjashtë shtylla tematike, ku Komuna e Mitrovicës në këtë raport është vlerësuar si ndër Komunat më transparente për vitin 2019, duke treguar kështu një rezultat mjaft të mirë në nivelin e transparencës dhe llogaridhënies, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në informatat publike dhe të jenë pjesë e politik-bërjes në nivelin Komunal.