Qindra pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistime, nën dyshimet se gjatë luftës në Kosovë kishin kryer krime lufte.
Që nga viti i kaluar, kryetari i Organizarës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati pati paralajmëruar arrestimet e para nga kjo gjykatë, e themeluar, më 2014 nga Kuvendi i Kosovës.
Misioni i EULEX-it filloi arrestimet e ish-krerëve të UÇK-së, një vit më vonë, saktësisht, më 24 shtator ku u arrestua ish-shef i inteligjencës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sali Mustafa.
Në aktakuzën e konfirmuar ndaj tij thuhet se mbi Mustafën rëndojnë veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme, të kryera gjatë vitit 1999.
Pas një dite, kreu i OVL të UÇK-së, Gucati ishte ndër të parët që ra në prangat e forcave të EULEX-it, pas një bastisjeje në zyrat ku punonte.

Hysni Gucati u arrestua, më 25 shtator pasdite, i cili akuzohej për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Për po të njëjtën arsye u arrestua, po të njëejtën ditë, edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj.
Bastitje e madhe nga forcat e EULEX-it të armatosur deri në “dhëmbë”, sikurse në OVL të UÇK-së, u krye edhe më 4 nëntor në shtëpinë e ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Pas disa orësh bastisjeje nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Krasniqi u nis drejt Hagës pasi u arrestua nga zyrtarët e EULEX-it pas një urdhër arresti, lëshuar nga Dhomat e Specialiuzuara.
E, njoftimet për konfirmimin e aktakuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së e “kokave” të shtetit të Kosovës, kishin marrë hovin.
Ish-komandantët UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe ish- shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli njoftuan për një ditë se u është konfirmuar aktakuza dhe do të paraqiteshin në Hagë.
Më 5 nëntor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas konfirmimit të aktakuzës dha dorëheqjen nga posti. Po ashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli njoftoi se jep dorëheqjen nga të gjitha postet politike.
Ata në aktakuzë konsiderohen përgjegjës për vdekjen e 100 personave dhe akuzohen gjithashtu për krime lufte të tilla si vrasje, internim dhe torturë.
Që të gjithë të akuzuarit, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi gjatë seancave të ndara javën e kaluar u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës ndaj tyre.
Ata ende gjenden në objektin e paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë(Holandë), mirëpo deri tani ende nuk ka ndonjë vendim për ta.
Gjykatësi i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, pati thënë se Prokuroria kërkon që hetimi të nisë në verën e vitit 2021 ndërsa nga ana tjetër mbrojtja e konsideroi këtë afat si “absurd”, duke kërkuar që gjykimi të nisë në vitin 2022, shkruan IndeksOnline.
Gjykatësi ka kërkuar që Prokuroria… të dorëzojë sa më shpejt materialet mbështetëse për rastin që të vendoset një datë për fillimin e gjykimit. Por, Prokuroria Speciale ka kërkuar kohë për t’i nxjerrë provat kundër ish-krerëve të UÇK-së.