Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Avdullah Hoti, e ka prezantuar këtë të fundit si kandidat të LDK-së për kryeministër.
Mustafa është pyetur edhe për largimet e zyrtarëve nga degët dhe nëndegët e LDK-së që po i bashkohen listës së Vjosa Osmanit, ndërsa ka thënë se nuk i minimizon largimet.

“Nuk e minimizoj. Nuk e shpalli të pavlefshëm asnjë largim, pasi që çdo njeri që deri dje ka qenë në LDK, ka qenë me LDK-në dhe i ka kontribouar LDK-së. Në qoftë se ata njerëz mendojnë që nuk kanë më asgjë që t’i japin LDK-së dhe dëshirojnë që të provojnë t’u japin subjekteve tjera, është në të drejtën e tyre që ata të vendosin që të largohen dhe t’i bashkangjiten listës së zonjës Vjosa Osmani”, tha Mustafa, raporton Gazeta Express.
Megjithatë, nga zyrtarët e larguar nga LDK-ja, Mustafa tha se nuk ka parë ndonjë që, siç tha, “mund t’i japin Kosovës” diçka. Ai tha se largimet e tyre nuk paraqesin humbje për LDK-në.





















