Numri i testimeve për Covid-19 që kryhen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka rënë dukshëm, kjo si pasojë edhe e mosinteresimit të qytetarëve për t’u testuar.
Qytetarët nuk shprehin më interesim të madh për të kërkuar udhëzime në Qendrat e Mjekësisë Familjare për t’u testuar. E një gjë të tillë e pranojnë edhe në Ministrinë e Shëndetësisë.
Një një përgjigje me shkrim nga MSH -ja thonë se ka rënë interesimi, derisa u bëhet thirrje qytetarëve nga IKSHPK që të shkojnë të testohen të gjithë ata që kanë simptoma.
Po ashtu, në MSH thonë se sot ka rënë në 14% përqindja e rasteve pozitive për dallim me muajin e kaluar, kur kanë qenë rreth 50%.
“Po, ka renë interesimi i qytetareve, prandaj po u bëhet thirrje nga IKSHPK që të shkojnë e të testohen ata me indikacione epidemiologjike. Por ka renë edhe përqindja e rasteve pozitive ndjeshëm, sot në 14%, për dallim prej para një muaji kur ka qenë rreth 50%”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Rrezart Halili, pranon se ka rënë interesimi i qytetarëve që kërkojnë udhëzime për testime në IKSHPK, por që thotë ka interesim për testet rapide, të cilat po kryhen në QKMF-të në Prishtinë.
“Ne tashmë jemi duke i bërë testet e shpejta me strisho, antigjen, pra testet rapide. Mesatarisht po kryhen 100 teste brenda ditës. Interesimi i qytetarëve është më i madh pasi edhe rezultatet janë më të shpejta. Mirëpo nëse shohim në përgjithësi, ka rënë interesimi i qytetarëve, të cilët kërkojnë udhëzime për t’u testuar”, ka thënë Halili për lajmi.net.
Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 744 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 109 raste pozitive.