Enver Hoxhaj, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një telefonatë me këshilltarin kryesor të kancelares gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker, përcjell InLajmi.
Hoxhaj tregoi se pjesë e diskutimit të tyre ishte edhe krijimi i një niveli të ri të marrëdhënieve mes dy shteteve në muajt e ardhshëm.
Postimi i plotë i tij:
“Sapo zhvillova një telefonatë me mikun tim të mirë, këshilltarin kryesor të kancelares gjermane Angela Merkel, Jan Hecker. Biseduam për situatën politike në Kosovë dhe rajon, si dhe rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19. Po ashtu, folëm për të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe punën në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve tanë krahas me partnerët e BE-së. Biseduam edhe për nivelin e ri të marrëdhënieve mes dy shteteve tona në muajt e ardhshëm.
Kosova është me fat që ka miq si Kancerlarja Merkel dhe Gjermania”./InLajmi/