Autoritetet britanike pritet të miratojnë vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë AstraZeneca këtë javë dhe kreu i kompanisë tha se ajo do të jetë po aq efektive kundër virusit sa vaksinat e kompanive Pfizer-BioNTech dhe Moderna.
Shefi ekzekutiv i AstraZenekës, Pascal Soriot tha për gazetën “Sunday Times” se kompania e ka “zbuluar formulën fituese që e rrit efektshmërinë pas 2 dozave deri afër nivelit që kanë treguar vaksinat e tjera”.
Ai shtoi se ai beson se vaksina e kompanisë së tij do të jetë gjithashtu efektive kundër variantit të ri të virusit, i cili është më ngjitës dhe po shkakton shqetësim në të gjithë botën.
Nëse miratohet, vaksina e kompanisë AstraZeneca do të bëhet vaksina e 5-të që do të përdoret në luftën kundër koronavirusit. Testet e hershme treguan se vaksina ishte 70% efektive në parandalimin e sëmundjes, krahasuar me nivelin e efektshmërisë prej 95 përqind të raportuar nga Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech. Rusia dhe Kina gjithashtu kanë vaksinat e tyre.
Vaksina e fundit në horizont vjen ndërsa numri i infeksioneve me Covid-19 në botë arriti në 80.8 milionë, ndërsa ai i vdekjeve në 1.7 milion, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, transmeton Indeks Online.
Në Shtetet e Bashkuara, 19 milionë njerëz janë infektuar me Covid-19 dhe më shumë se 333.000 njerëz të tjerë kanë vdekur nga kjo sëmundje.