Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka konfirmuar se do të nisin hetimet në rast se ka prova për futjen e vaksinave anti-COVID nga Serbia në mënyrë ilegale në Kosovë.
Këtë koment Kryeprokurori i Shtetit e bëri një ditë pasi ministri i Drejtësisë Selim Selimi, i bëri thirrje publike Prokuroisë që ta hetojë hyrjen e vaksinave nga Serbia në Kosovë, siç i quan ai në mënyrë ilegale.
Teksa foli për këtë çështje, kryeprokurori Lumezi tha se nëse prokuroria siguron prova të mjaftueshme, menjëherë do të fillojnë hetimet penale, raporton Gazeta Express.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të fillojë me grumbullimin e informatave dhe të dhënave të duhura, për të vërtetuar pretendimet nëse vaksinat kaë hyrë nga Serbia në menyrë të kundërligjshme. Nëse sigurojmë bazë dhe prova të mjaftueshme atëherë menjëherë do të fillojmë edhe me hetimet penale”, tha Lumezi të dielen.