Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni priti në vizitë zyrtare homologun e tij, ministrin e Mbrojtjes së Italisë, Lorenzo Guerini, përcjell InLajmi.
Quni theksoi përkrahjen e madhe gjatë dhe pas luftës, në ndërtimin dhe arritjet e deritashme të vendit e posaçërisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Ai theksoi edhe rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Italisë dhe Forcat e Armatosura të saj, duke pasur parasysh përvojën e madhe italiane në procesin e integrimeve euroatlantike dhe forcave ushtarake italiane në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi.
Nga ana e tij, ministri Guerini falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe ndjenjën e veçantë të vizitës në prag të krishtlindjeve në një vend mik.
Ai përgëzoi ministrin Quni, për të gjitha të arriturat e deritashme të ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke konfirmuar angazhimin e Republikës së Italisë në paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon përmes KFOR-it.
“U siguroj se Republika e Italisë do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive perspektivën euro-atlantike të Kosovës duke theksuar se do të intensifikohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimi bilateral në funksion të interesave tona të përbashkëta” tha ndër të tjera, ministri Guerini.
Në vazhdim të diskutimeve, dy ministrat u pajtuan që ndër hapat e parë të viti të ardhshëm të jenë vizitat e ndërsjella të dy shefave të mbrojtjes, respektivisht gjeneral Ramës dhe gjeneral Vecciarelli, për të konkretizuar aktivitetet bashkëpunuese bilaterale./InLajmi/