Me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve nënshkrues, të hënën e 28 dhjetorit do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për buxhetin e vitit 2021 dhe për marrëveshje ndërkombëtare që janë në procedurë. Në njoftimin publik për këtë seancë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shkruar se pas këtyre votimeve vendi mund të shkojë në zgjedhje.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se seanca do të mbahet me fillim prej orës 11:00.
Në arsyetim thuhet se “duke u nisur nga rrethanat e krijuara politike dhe pasojat juridike, si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin KO 95/20, si dhe duke marrë në konsideratë nevojën që vendi të ketë siguri financiare dhe ekonomike, ne nënshkruesit e kësaj kërkese për seancë të jashtëzakonshme e konsiderojmë të nevojshme votimin e ligjit për ndarjen buxhetore, si dhe Marrëveshjeve Ndërkombëtare të cilat janë në procedurë kuvendore”, përcjell koha.net.
LDK-ja, që udhëheq me Qeverinë, po kërkon që buxheti të miratohet para se të mbahen zgjedhjet e reja, të cilat janë kërkuar nga Kushtetuesja, bazuar në aktgjykimin për votën e deputetit Etem Arifi.