Gjykata Speciale pas ngritjes së aktakuzës ndaj udhëheqësve të OVL e UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, ka caktuar datën për konferencën e ardhshme.
Sipas njoftimit thuhet se konferenca për ecurinë e çështjes do të mbahet më 8 janar 2021.
“Sikurse është njoftuar në kalendarin e Gjykatës, paraqitja e mëtejshme e Nasim Haradinajt është caktuar për datën 8 janar 2021 në orën 15:00. Gjatë pjesës së parë të seancës, z. Haradinaj do t’i kërkohet të vetëdeklarohet fajtor ose i pafajshëm në lidhje me akuzat kundër tij të paraqitura në Aktakuzën e konfirmuar, në përputhje me rregullën 92(2)(c) të Rregullores. Nëse i akuzuari nuk vetëdeklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, gjykatësi i procedurës paraprake bën deklarim pafajësie në emër të të akuzuarit, në përputhje me rregullën 92(2)(f) të Rregullores. Pjesa e dytë e seancës do të shërbejë si konferencë e parë për ecurinë e çështjes”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi
Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.