Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë pas 19 vjetëve kundër të pandehurit me inicialet N.P, i cili dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Rrëmbim”.
Sipas njoftimit të prokurorisë thuhet se i pandehuri me 3 persona tjerë në vitin 2001 kishin rrëmbyer një vajzë dhe për ta liruar kishin kërkuar të holla nga familja e viktimës.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri N.P.,Me datë 07 Janar 2001 rreth orës 20:30 në rrugën e ‘’Saraçëve’’ në Prizren, në bashkëkryerje me të pandehurit A.H.,O.Ç. dhe D.P. – të gjithë nga Prizreni, në marrëveshje paraprake kryejnë rrëmbimin e të dëmtuarës P.K. nga Prizreni. Të njëjtit viktimën e dërgojnë në shtëpinë e të pandehurit A.H. dhe më pas kontaktojnë me familjen e të dëmtuarës dhe nga të njëjtit kërkojnë shumën e parave prej 420 mijë marka gjermane, për lirimin e bijës së tyre”, thuhet në njoftimin e komunikatës.
Sipas prokurorisë, i pandehuri së bashku me bashkëpunëtorët e tij kishin mbajtur për një muaj dhe kishin keqtrajtuar seksualisht vajzën.
“Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri së bashku me bashkëpunëtorët e mbajnë të dëmtuarën të ngujuar deri më 08 shkurt 2001, të cilën e keqtrajtojnë edhe seksualisht. Të njëjtit pas marrjes së parave të kërkuara për lirimin e viktimës, e lirojnë atë dhe arratisen nga Kosova”, thuhet në njoftim, , përcjell Gazeta Insajderi.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.


















