Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, nuk po i beson fort sondazhit të UBO Consulting, që u prezantua mbrëmë në Rubikon të Klan Kosovës, që e nxori Vetëvendosjen të parën me 46,2 % e PDK-në të 2-tën me 16 %.
“Fillimisht duhet të shihet se sa është numri i votuesve që do të dalin në zgjedhje. A do të jetë numri i njëjtë që ka qenë, apo do të jetë numër më i madh i votuesve, sepse kjo ka shumë ndikim. 46 % është ndryshe nëse është në 800.000, 900.000, apo 1 milion votues”.
“Nëse një subjekt politik në zgjedhjet e kaluara i ka pasë 220.000 vota të cilat kanë qenë edhe si rezultat i votave nga diaspora, atëherë është e rëndësishme të dihet se a janë të përfshira votat e diasporës ose jo. Në atë rezultat ka ndikuar edhe prezenca në listë e Mimoza Kusari-Lilës e cila i ka pasë në atë moment një pjesë të votave që lidhen me të dhe Alternativën, pastaj është edhe shkrirja e AKR-së në Vetëvendosje”.
Hamza ka thënë se nuk pret që ky do të jetë rezultati real i zgjedhjeve të parakohshme që priten të mbahen në muajin janar ose shkurt.
“Në praktikë nuk do të ndodhë kështu. Nëse nisemi nga numri i njëjtë i votuesve del që nëse janë 850 mijë votues dhe nëse në zgjedhjet e kaluara Vetëvendosja i ka pasë 220.000 vota tash duhet t’i ketë edhe 200.000 vota të tjera. Kjo e do një analizë tjetër. Ku i merr këto 200.000 vota? A janë votues të rinj, apo ia ka marrë LDK-së, PDK-së ose të tjerave?”.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, kur ka folur për rrëshqitjen e votuesve nga zgjedhjet e kaluara, është shprehur i bindur se një votues i PDK-së mund të abstenojë në këto zgjedhje, por asesi të votojë për një parti tjetër.
“Votuesit e PDK-së nuk e votojnë dhe nuk kthehen të votojnë parti të tjera, në këtë rast LDK-në, Nismën, apo parti të tjera. Mund të abstenojë, por nuk del me e ndërru partinë. Kur i shohim partitë e vogla edhe të mendosh që prej PDK-së, kur po shihet trendi, shkon e voton Nismën mendoj që logjikisht shihet si e pamundur”.
I pari i deputetëve të PDK-së ka thënë se 46,2 %, aq sa e nxjerr ky sondazh Lëvizjen Vetëvendosje, përkthyer në numra i bie 400.000 vota.
Ai nuk e beson se këto vota, rreth 180.000 më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara, mund t’i ketë partia e Albin Kurtit në zgjedhjet e reja, tha ai në Klan Kosova.
“Në aspektin matematik për të arritur te 400.000 e sa vota, atëherë ku po i mbesin votat LDK-së e cila praktikisht duhet të bjerë në 100.000 vota. Të më bindësh mua se 100.000 votues të LDK-së brenda një viti kanë pasë rrjedhje dhe do të shkojnë diku tjetër është thuajse e pamundur”.
Nëse e kthejmë në numra del se Vetëvendosja duhet t’i ketë mbi 400.000 vota që unë po them se nuk i ka. Nuk është dyfishuar. Nuk besoj, as në aspektin profesional dhe politik, që një parti ka mundësi të rritet diku për 180.000 vota nga zgjedhjet e kaluara brenda vetëm një viti”.