Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, është liruar nga akuza për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, për periudhën sa ishte kryesues i Asamblesë Komunale të Prizrenit, në mandatin e shkuar.
Të mërkurën, Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se e ka liruar nga akuza Gashin që akuzohej se kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke lidhur kontrata për transmetim dhe ritransmetim të seancave të asamblesë, pa procedurë të tenderimit.
Gashi, ndaj të cilit sipas Themelores s’janë gjetur prova se ka kryer veprën penale, akuzohej se më 2015 dhe 2016, kishte lidhur kontratë për transmetim dhe ritransmetim të seancave me “TV Besën” në shumë prej 250 euro për çdo seancë, dhe kontratë 400-euroshe me “TV Opinion” për transmetim të seancave. Gjithsej për dy televizionet ishin paguar 8450 euro, raporton koha.net.
Gashi pas detyrës si kryeasamblist ka qenë ministër i Kulturës.