Është anuluar seanca gjyqësore e cila ishte paraparë që të mbahej sot, ku deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve të Kosovës, Etem Arifi, pritej që sërish të dilte para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Nga zyra e gjykatësit Vesel Ismajli është bërë e ditur se gjykatësi Naser Foniqi mungon pasi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe si shkak i mungesës së tij nuk është arritur që të kompletohet trupi gjykues. Sipas tyre, paraprakisht dje është anuluar seanca gjyqësore dhe për këtë janë njoftuar edhe palët
Gjykata e Apelit, kishte vendosur që Arifi të rigjykohet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, për të cilën ishte liruar nga gjykata e shkallës së parë.
Etem Arifi ishte dënuar më 20 prill 2018, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me dy vjet burgim me kusht, pasi ai ishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione.
Me dy vjet burgim me kusht, për të njëjtën vepër penale, ishte dënuar edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Bajram Gashi, raporton Gazeta Blic.
Por, sipas aktgjykimit të shkallës së parë, dënimi ndaj tyre nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës së verifikimit prej tre vjet pas plotfuqishmërisë së dënimit.