Kongresi amerikan e ka aprovuar pakon e ndihmës së rimëkëmbjes ekonomike në kohë pandemie në vlerë prej 900 miliardë dollarësh amerikan pas disa muajsh me përplasje politike ndërmjet republikanëve dhe demokratëve.
Senatorët e kanë aprovuar ligjin e mbështetjes në orët e vona të së hënës, sipas kohës lokale amerikane, por shumë shpejt ka kaluar edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, ka raportuar BBC-ja.
Pakoja përfshin mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për shumë amerikanë dhe përkrahje për bizneset. Në të përfshihen edhe programe të mbështetjes për të gjithë ata që kanë mbetur pa vende pune shkaku i pandemisë së koronavirusit, transmeton koha.net.
Presidenti Donald Trump pritet ta nënshkruajë së shpejti pakon për ta fuqizuar menjëherë. Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, e ka mirëpritur aprovimin e pakos, duke thënë se Kongresi duhet të përfshihet në punën për përkrahjen e planit të ndihmës kundër pandemisë COVID-19.