Në disa media sot është raportuar se qytetarët do të mund t’i marrin nga sot paratë e Trustit
Megjithatë, një gjë e tillë është mohuar nga Fondi Pensional i Kosovës.
Rrjedhimisht, ky lajm del të mos jetë i vërtetë, e qytetarët duhet të presin të paktën edhe dy ditë që ta marrin 10%.
Nga Trusti të kontaktuar nga Express thonë se paratë do të ekzekutohen nga data 23 dhjetor, ashtu siç kishin njoftuar fillimisht.
“Nuk ka njoftim tjetër për ekzekutimin e pagesës së 10%, përveç atij që kemi publikuar të premten [18 dhjetor]”, tha për Express, zëdhënësi i Trustit Jeton Demi,
Qytetarët kanë filluar aplikimin për tërheqjen e 10% më datë 11 dhjetor. Aplikimi mund të bëhet deri më 6 prill 2021.