Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar lidhur me vendosjen e fotografive të 27 personaliteteve më të shquara në historinë e qytetit të Mitrovicës, përcjell InLajmi.
Ai ka shprehur indinjatën e tij për mosvendosjen e figurës së Bajram Rexhepit në këtë ekspozitë.
Postimi i plotë i tij:
“Më i rëndë se harrimi i historisë është shtrembërimi, respektivisht, gjymtimi i saj.
Por, kur kjo ndodh në një qytet që ka prodhuar kaq shumë histori, atëherë është abuzim që përbuz të kaluarën dhe fyen të tashmen.
Nuk mund të shkruhet historia e Mitrovicës pa Bajram Rexhepin. Bajram Rexhepi është vetë përpjekja, rezistenca dhe nderi i këtij qyteti.
Bajrami ishte zëri i minatorëve, krenaria e mjekëve, heroi i luftës dhe i paqes, por edhe ajka e intelektualëve dhe melodia e rokut mitrovicas.
Tentimi i Komunës së Mitrovicës për ta anashkaluar figurën e tij, por edhe të shumë intelektualëve, atdhetarëve e artistëve të mëdhenj të këtij qyteti, si figura që me djersën e tyre kanë ndërtuar rrëfimin për këtë qytet, është mungesë themelore e edukatës dhe e njohurive bazike për vetë themelet mbi të cilat është ngritur Mitrovica.
Bajrami dhe të tjerët janë më të mëdhenj se “vlerësimi partiak” që shpërfaq edhe një herë injorancën e thellë të udhëheqësve të kësaj komune, sepse ata janë vetë qyteti. Megjithatë, ky veprim nuk mund të kalojë pa u shënuar si akt që gjymton në thelb historikun e Mitrovicës.
Është vërtet për keqardhje, që një qytet me të kaluar kaq të pasur ka rënë në duart e një qeverisjeje të tillë, e cila përbuz vlerat e vërteta. Por, lajmi i mirë është se ky pushtet që mendon se historia fillon me ta, po perëndon dhe dielli për Mitrovicën do të lindë përsëri”./InLajmi/