Ministria e Financave, përkatësisht Thesari i Shtetit përmes një komunikate ka dhënë disa sqarime për pakot mbështetëse që disa komuna po i miratojnë për bizneset e goditura nga pandemia.
Sipas njoftimit, Komuna e Prishtinës ka publikuar listën e bizneseve përfituese, por ajo nuk i ka kryer procedurat e nevojshme për ekzekutimin e kësaj pakoje, ashtu siç parashihet në rregullativën ligjore.
Po ashtu, Thesari i Shtetit bëri të ditur se Komuna e Prishtinës nuk ka dorëzuar asnjë shkresë zyrtare për pagesa masive, por që atë duhet ta bëjë sa më parë për shkak të afateve për mbylljen e vitit fiskal, përcjell Sinjali.
“Duke marrë shkas nga njoftimi i bërë nga Komuna e Prishtinës rreth pakos së kësaj komune ofruar për bizneset, Thesari njofton Komuna e Prishtinës ende nuk i ka kryer procedurat e nevojshme për ekzekutimin e kësaj pako, ashtu siç parashihet në rregullativën ligjore për financat publike, bazuar në të informatat nga regjistrat kontabël (SIMFK). Po ashtu, Komuna e Prishtinës nuk ka dorëzuar në Thesarin e shtetit një kërkesë zyrtare për pagesa të tilla (masive) për biznese, meqë kjo gjë s`është e mundur, dhe se Thesari pret që nëse ende Komuna planifikon të realizojë ekzekutimin e pakos për biznese, atë duhet ta bëjë sa më parë për shkak të afateve për mbylljen e vitit fiskal, dhe përmes sistemit për menaxhimin e financave publike, në pajtim me legjislacionin dhe udhëzimet në fuqi, që sigurojnë transparencën e duhur dhe llogaridhënie institucionale si organizatë buxhetore, përgjegjëse për dizajnimin dhe zbatimin e saj”, thuhet ndër të tjera në komunikatë